Igli Tare ka njoftuar largimin nga Lazio, duke i dhënë fund një karrierë të gjatë 18-vjeçare si futbollist dhe kryesisht si drejtor sportiv në klubin nga kryeqyteti italian.
Ish-sulmuesi i Shqipërisë iu bashkua Lazios si futbollist në vitin 2005 dhe i kaloi tri vite duke luajtur për ekipin, para se t’i varte këpucët në gozhdë për ta nisur karrierën si drejtor sportiv.
Tare kishte disa ngritje dhe ulje gjatë kohës si drejtor i Lazios, pasi solli disa lojtarë të shkëlqyer si Luis Alberto, Sergej Milinkovic-Savic dhe Ciro Immobile.
Megjithatë, disa prej dështimeve të tij fatkeqësisht ishin Vedat Muriqi, sulmuesi i Kosovës të cilin e solli nga Fenerbahce për 20 milionë euro.
Muriqi dështoi ta arsyetojë çmimin që Tare e bindi klubin ta paguajë për të dhe u largua në drejtim të Mallorcës për rreth 10 milionë euro.
Duke folur për TG1, Tare tha të hënën se është larguar nga Lazio.
“Po largohem pas 18 viteve, ishte një aventurë intensive. Do të bart gjithçka në zemrën time”, tha Tare.
Raportohet se arsyeja kryesore pse Tare u largua është trajneri Maurizio Sarri.
Sarri, i cili e udhëhoqi Lazion drejt vendit të dytë në Serie A dhe kualifikimit në Ligën e Kampionëve për sezonin e ri, nuk e kishte shikuar kurrë në sy Taren dhe tensionet mes tyre ishin kërcënim për të ardhmen e italianit në klub.