
Xavi ka thënë se do ta mirëkuptonte nëse Barcelona do ta shkarkonte atë, në mes të ecurisë së tyre të paqëndrueshme, por është zotuar të japë gjithçka për të rregulluar situatën.
Barcelona po kalon në një formë jo të mirë në dy javët e fundit, gjë që e ka vënë Xavin nën presion.
Katalunasit janë një hap larg eliminimit nga Liga e Kampionëve pasi nuk arritën të mposhtin Interin në dy ndeshje dhe po ashtu u mposhtën nga Real Madrid në “El Clasicom” e parë të sezonit.
Xavi tha se është i vetëdijshëm për pasojat e mundshme, por se mbetet i përqendruar për ta transformuar skuadrën në një të frikshme, raporton Goal.
Kur u pyet nëse do ta mirëkuptonte nëse Barça vendos ta lirojë atë nga detyrat e tij, Xavi tha: “Sigurisht. Është futboll. Tani duhet të vazhdojmë dhe përballemi me realitetin, por unë jam gjithmonë pozitiv. Me përpjekjet e bëra nga klubi dhe skuadra që kemi, ne duhet të garojmë për trofe. Dhe nëse nuk fitojmë, siç tha presidenti Joan Laporta, do të ketë pasoja, duke filluar nga unë. Nëse nuk fitojmë, do të hyjë një trajner tjetër”.
Përkundërt situatës jo të mirë, Barcelona ende qëndron në vendin e dytë në La Liga, me vetëm tre pikë larg rivalëve kryesorë, Realit.