Egnatia fitoi Superkupën e Shqipërisë. Rrogozhinasit triumfuan me rezultatin 2-0 ndaj Kukësit, në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Tripletë trofesh nga skuadra e Edlir Tetovës, që pas titullit dhe Kupës, tashmë merr edhe Superkupën.
Siç edhe pritej ndeshja nisi me rrogozhinasit më kërkues dhe dominues. Lushkja kishte mundësinë e artë për të zhbllokuar sfidën në minutën e 6-të, por gjuajtja e tij shkoi jashtë. Zejnullai provoi nga goditja e dënimit, gjuajtja e të cilit u ndal nga muri mbrojtës në minutën e 14-të.
Dy minuta më vonë, Bakajoko i shkoi shumë afër golit, duke kaluar edhe portierin, por nuk e çoi dot topin në rrjetë.
Mundi i Egnatias u shpërblye në minuytën e 19-të. Serxho Ujka përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një gjuajtje të fortë e ndali në fundin e rrjetës.
Ky gol i dha qetësinë skuadrës së Tetovës, që e administroi shumë mirë avantazhin deri në fundin e pjesës së parë.
Fraksioni i dytë, nisi sërish me Egnatian më kërkuese. Në minutën e 53-të, Bakajoko u rrëzua në zonë duke kërkuar penallti, por nuk ishte i këtij mendimi arbitri, që lejoi vazhdimin e lojës.
Sulmuesi i Egnatias ishte i pafat në minutën e 58-të, kur pa tentativën e tij me kokë të ndalej nga portieri Dervishaj dhe më pas nga tranversa.
Kukësi filloi të reagojë pas minutës së 70-të, me dy raste, të Hasajt dhe Beshirajt, të cilët nuk konkretizuan rastet e tyre.
I pafat ishte edhe Aleksi në minutën e 78-të, kur pa gjuajtjen e tij të ndalej mbi vijën fatale.
Goditjen përfundimtare Kukësit ia dha Bakayoko në minutën e 85-të, kur dyfishoi shifrat për Egnatian.
Rrogozhinasit ia dolën të ruajnë avantazhin, për të marrë Superkupën, trofeun e tretë për vitin 2024, pas Kupës dhe titullit kampion. Në krahun tjetër, Kukësi vazhdon momentin e vështirë.