Nesër me fillim nga ora 18:45 në stadiumin “Fortuna Arena” Ballkani do ta ketë ndeshjen e dytë në UEFA Conference League përball Slavia Pragës.
Të dy skuadrat në ndeshjen kanë barazuar kundër Cluj përkatësisht Sivasspor.
E një ditë para ndeshjes trajneri i skuadrës çeke, Jindrich Trpisovsky, ka mbajtur një konferencë për media, ku e ka vlerësuar lartë ekipin e menaxhuar nga Ilir Daja.
Ai tha se Ballkani është një ekip që s’ka emër por ka një paraqitje më të lartë nga sa pritej.
Trajneri i përmendi edhe disa lojtarë të spikatur të ekipit nga Suhareka.
“Nuk i kam parë asnjëherë nga afër, por deri më tani i kam parë ndeshjet e tyre. Ishte një e panjohur e madhe për ne dhe më duhet të them se jam habitur me atë që kanë treguar. Ndonjëherë vjen një ekip i madh që ka emër dhe paraqitjen e ka të dobët. Ballkani është e kundërta e kësaj, është një ekip që nuk ka emër, por ka paraqitje më të lartë nga sa pritej. Ka një trajner që pati sukses të madh në Shqipëri, të cilin e transferoi edhe në këtë ekip”, tha Trpisovsky.
“Karakteristika e tyre themelore është se janë jashtëzakonisht të fortë në kombinim, kalojnë gjithçka, portieri luan shkëlqyeshëm me këmbë, të dy portierët gjithashtu, e gjithë skuadra është shumë e mirë, ka kontroll të madhe të topit, e shijojnë atë”.
“Sigurisht që kanë disa dobësi. Nuk duhet t’u lëmë shumë hapësirë sikurse Cluj që pothuajse nuk ishte në gjendje t’ua hiqte topin. Kur ata marrin topin janë shumë të fortë me të, ne duhet të jemi të kujdesshëm në këtë aspekt”, shtoi ai.
“Ata kanë mbrojtës të fuqishëm, portierë me eksperiencë, pastaj kanë lojtarë të lëvizshëm, grabitqarë dhe të rinj përpara. Korenica, Krasniqi janë lojtarë jashtëzakonisht produktivë, ndërsa Rrahmani është një sulmues interesant”.