Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, është i bindur që skuadra e tij nuk mund të garojë me Manchester Cityn e Arsenalin për titullin kampion momentalisht.
Maresca ka fituar shtatë nga 10 ndeshjet e tij që kur mori drejtimin në Chelsea këtë verë, por ish-trajneri i Leicester ka minimizuar shanset e ekipit të tij për të garuar për kreun e Premierligës këtë sezon.
Pas fitores 4:2 të Chelseas ndaj Gentit në Ligën e Konferencës të enjten, ai tha: “Unë me të vërtetë nuk mendoj se mund të konkurrojmë me Cityn ose Arsenalin. Unë me të vërtetë nuk e mendoj këtë sepse nuk jemi gati. Arsyeja është se City ka punuar me të njëjtin trajner për nëntë vjet dhe Arsenali për pesë vjet. Nëse doni të konkurroni për gjëra të mëdha, ju duhet ajo kohë. Pasi Arsenali mundi PSG-në ata pyetën Luis Enriquen dhe ai tha të njëjtën gjë që Arsenali ka të njëjtin trajner për pesë vjet dhe ata vetëm një vit e gjysmë. Na imagjinoni, vetëm tre muaj… kështu që është një ndryshim i madh. Kështu që jam vërtet i bindur se nuk mund të konkurrojmë me ato klube”.
FBL-EUR-C4-CHELSEA-GENT
Ndërsa është ende herët, gjërat po shkojnë mirë në Chelsea nën drejtimin e trajnerit Maresca. Ata janë në vendin e katërt në Premierligë, vetëm dy pikë larg liderit të ligës Liverpool dhe një larg Cityt dhe Arsenalit. Por janë zhvilluar vetëm gjashtë ndeshje në sezonin e ri dhe londinezët nuk kanë luajtur ende me shumicën e skuadrave në gjysmën e parë të tabelës.
Chelsea kthehet në Stamford Bridge të dielën pasdite kur pret Nottingham Forestin, përpara se skuadrat të nisen për pushimin ndërkombëtar. Në kthimin e tyre në Premierligë më 20 tetor, ata do të përballen me Liverpoolin në Anfield, që pritet të jetë testi më i vështirë deri më tani për trajnerin e ri.