Tani situata është vërtet shumë serioze: Tirana është mposhtur 0-4 në “Air Albania” nga Egnatia dhe mbetet në zonën e ftohtë të renditjes (vendi i nëntë) me vetëm 18 pikë, duke mos përfituar nga humbje 0-3 e Laçit përballë Bylisit (kurbinasit kanë dy pikë më shumë se bardheblutë: 20).
Kampionët në fuqi të Superiores shënuan dy herë brenda tri minutash në pjesën e dytë, duke ua prerë krahët bardhebkuve, që nuk gjetën forca për të kthyer rezultatin.
Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, me raste sporadike në të dyja portat, me ndryshimin e rezultatit që ndodhi në të 64-tën: pas një aksionit të gjatë të miqve, mbrojtja bardheblu i tregua e paaftë për të larguar topin nga zona, me Ujkën që e shtyu me kokë për në rrjetë.
Vetëm katër minuta më vonë, sërish me një aksion të zhvilluar nga krahu i djathtë i sulmit të egnatias, Lushkja goditi bukur me të parën brenda zonës, duke mos i dhënë asnjë shans Selmanit.
Përpjekjet e Tiranës për të kthyer rezultatit rezultuan të dëshpëruara, madje në minutën e 80-të Bakayoko shënoi golin e tretë për rrogozhinasit, duke shuar përfundimisht shpresat e Tiranës për të marrë pikë në këtë ndeshje.
Por nuk u mbyll me kaq: miqtë realizuan një tjetër gol për rezultatin përfundimtar 0-4.