Manchester City ka bërë një hap të gabuar qysh në xhiron e tretë, duke lëshuar pikë në një ndeshje spektakli kundër Newcastle, ku u shënuan gjashtë gola.
Skuadra e Pep Guardiola kaloi e para në epërsi, duke gjetur golin qysh në minutën e 4’, me Ilkay Gundogan, i cili u asistua nga Bernardo Silva.
Megjithatë, reagimi i Newcastle ishte spektakolar. Ata morën kontrollin e lojës për të përmbysur kampionët në fuqi.
Barazimi i Newcastle erdhi në minutën e 28’, kur Almiron dërgoi topin në rrjetë. Një goditje të dytë, ‘Citizens e morën’ vetëm dhjetë minuta më vonë, kur Wilson dërgoi topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë, City krijoi disa raste. Pak sekonda pasi Haaland qëlloi shtyllën, Kieran Trippier shënoi nga gjuajtja e lirë për 3:1. Kjo dukej goditja e nokautit për City, por kampionët gjetën forcën për të reaguar.
City shënoi dy gola në tre minuta, me Erling Haaland në minutën e 61’ dhe Bernardo Silva në minutën e 64’.
Me këtë barazim, Man City shkon në shtatë pikë për pozitën e dytë, kurse Newcastle merr pikën e pestë, për pozitën e gjashtë.
E vetmja skuadër që mban pikë të plota këtë sezon në Premier League mbetet Arsenal.