Liverpooli e ka nisur me fitore epokën e Arne Slot, pasi në ndeshjen e tyre të parë në Premierligë triumfuan 2:0 ndaj Ipswich Town, ku shkëlqeu Mohamed Salah me gol e asist.
Të kuqtë nga Merseyside udhëtuan në Portman Road, për t’u takuar me skuadrën e sapopromovuar në Premierligë.
Skuadra e Arne Slot ishte dukshëm më e mirë gjatë 90 minutave, ndonëse nuk gjuajtën asnjëherë në drejtim të portës në 45 minutat e para.
Pasi pjesa e parë u mbyll pa asnjë golë të realizuar, Liverpooli e gjeti golin në dy raste në pjesën e dytë, ku Salah ishte i përfshirë në të dy aksionet.
Trent Alexander-Arnold e nisi një kundërsulm të shpejtë, kur e gjeti shumë bukur Mohamed Salahin në krah, me këtë të fundit që asistoi në zonë për Diogo Jotan, që shënoi lehtësisht për 1:0 në minutën e 60-të.
Goli i dytë nuk vonoi shumë. Zhvillohej minuta e 65-të kur Dominik Szoboszlai tentoi një asist në një hapësirë të ngushtë, ku nga topi i devijuar përfitoi Salah, që shënoi për 2:0.
Salah e vazhdon rekordin, duke shënuar apo asistuar në çdo ndeshje të parë të sezonit që nga 2017-2018.
Deri në fund të takimit nuk pati ndryshim në rezultat, dhe Liverpooli iu gëzua tre pikëve të para në ndeshjen e tyre hapëse të sezonit, ku nisi epoka e Arne Slot.