Verë e nxehtë për Massimiliano Allegrin. Pasi ka dëgjuar një ofertë fitimprurëse nga Arabia Saudite, trajneri i Juventusit ka falënderuar për interesin duke e refuzuar propozimin faraonik (20-30 milionë euro pagë sezonale).
Gjithsesi, e ardhmja e tij në Torino është në dyshim. Pasi Allegri ka përfunduar në shënjestrën e PSG-së. Edhe pse në tratativa me Julian Nagelsman, kampionët e Francës e konsiderojnë Allegrin si alternativën më të mirë pas gjermanit.
Ekziston ndjesia se pas një sezoni të trazuar, Allegri do të qëndrojë në drejtimin e Juventusit edhe sezonin e ardhshëm për t’ju përgjigjur kritikave në fushë. Dhe për të ndihmuar klubin të nisë një cikël të ri fitues.
Një mision i komplikuar, edhe pse është një sfidë që tekniku e mirëpret në një ambient që e njeh mirë. Dhe që me lëvizjet e duhura në merkato mund t’i japë shumë kënaqësi.
Vetë agjenti i trajnerit nga Livorno deklaroi pas zërave për ofertën nga Arabia Saudite, se “Allegri është i përfshirë në projektin e Juventusit dhe se mendon se nuk do të ketë ndonjë lëvizje të bujshme”.
Gjithsesi një sulm i PSG-së në drejtim të tij mund të ndryshonte gjërat. Pasi ideja për të drejtuar një skuadër yjesh mund të tundojë trajnerin për të provuar suksesin jashtë Italisë.