Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka komentuar vendimin e futbollistëve të Kosovës për ta braktisur ndeshjen ndaj Rumanisë në minutat shtesë.
Në një intervistë për “KosovaPress”, Cana, ka thënë se i ka pëlqyer uniteti te Përfaqësuesja e Kosovës dhe se si u respektua vendimi i kapitenit Amir Rrahmani.
Por, ai ka shtruar pyetjen nëse do të ishte braktisur ndeshja po të ishte Kosova në epërsi.
“Mua më pyesin shumë për këtë punë. Nuk besoj se diçka është bërë me dëshirë, me qëllim të keq apo në ndonjë mënyrë të keqe. Kur mua ma bëjnë këtë pyetje, unë ua bëjë një pyetje tjetër shumë të thjeshtë. Nëse ne do të ishim 1-0 duke e fituar atë lojë, a do ta kishim lënë? Merre vet përgjigjen, të kishim qenë ne duke fituar 1-0 në minutën 93’, a do ta kishim lënë lojën? Shumica e njerëzve më thonë: ‘Jo nuk do ta linim’ dhe e kemi përgjigjen”, ka thënë Cana.
Në ndeshjen që u zhvillua në Bukuresht më 15 nëntor, në kuadër të Ligës së Kombeve, lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 92-të pas thirrjeve raciste nga tifozët rumunë. Pati fyerje, thirrje “Serbia, Serbia” dhe hedhje të gjësendeve.
Të enjten UEFA mori vendim që ndeshja t’i takojë Rumanisë me rezultat zyrtar 3:0.
Kosova në plejof për t’u ngjitur në Ligën B, do të ballafaqohet me Islandën në dy ndeshje që do të zhvillohen në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Cana tha se u ndie shumë mirë kur pa se skuadra mbështeti vendimin e kapitenit Rrahmani.
“Një gjë mua më ka ardhur mirë, kur kapiteni vendosë, e gjithë skuadra ka vendosur si një trup dhe kjo duhet të bazohet si forcë e skuadrës pavarësisht asaj a kanë bërë mirë apo keq. Amiri është kapiten i skuadrës dhe vendimin që e ka marrë ai apo federata mund të jetë i mirë ose i gabuar varësisht si e gjykojnë, mua kur më pyesin a kanë bërë mirë, unë iu them, nëse do ta marrësh përgjigjen, për dy minuta nëse isha duke fituar nuk do ta lija lojën. Gjithsesi faktori i një ekipi të mbledhur dhe që e merr vendimin bashkë, duhet të bazohet në atë forcë për çdo moment që ekipi ka për t’u zhvilluar dhe për çdo sfidë që e ka përpara”, ka thënë tutje Cana.
Cana thekson gjithashtu me bindje të plotë se Kosova nuk e ka vendin në Ligën C, por së paku një rang më lartë, në Ligën B.
“Kosova nuk e ka vendin te Grupi C. Kosova me lojtarët që ka, skuadrën që ka, cilësitë që ka, e ka vendin te Grupi B dhe aty mandej unë mendoj se mund të gjykohet se si mund të jemi dhe në çfarë niveli jemi, pastaj se ku mund të përfaqësohemi në momentin kur fillojmë të garojmë në Grupin B. Plejofi kundër Islandës nuk do të jetë i lehtë por janë ato momente kur duhet të bëhet një hap përpara. I njëjti proces, edhe ky ekip duhet të piqet, edhe ky ekip duhet të luajë edhe pak së bashku edhe kanë nevojë për lojtarët më të mirë që janë në momentin dhe në formën e duhur dhe kjo çndeshja] e marsit jep një shtytje për inkuadrim në Grupin B ku i përket Kosovës sepse nuk e gjykojë unë Kosovën në momentin që e fiton Grupin C, pavarësisht se e ka pasur aty një Rumani por e pamë në ndeshjen e fundit mua Rumania mu duk sikur Andorra, e kjo është meritë e Kosovës”, ka thënë Cana.
Ai nuk ka lënë pa komentuar edhe ecurinë e Kombëtares së Shqipërisë, e cila doli e fundit në grupin e saj në Ligën B dhe ra një rang më poshtë.
“Nuk e di për fjalën dështim, sigurisht se vendi i fundit nuk është i mirë si dhe zbritja një ligë më poshtë, mandej kur luan në Ligën e Kombeve dhe je në Grupin B, pothuajse katër ekipet nuk janë shumë larg njëra tjetrës, dhe në ndeshjen e fundit mund të ishin edhe në vendin e parë por edhe në të fundit, janë detajet. Unë mendoj se cilësia dhe kualiteti është dëshmuar me kualifikimin në Kampionatin Evropian, është një skuadër që thjeshtë duhet të piqet pak dhe duhet të nxjerrë një pjesë të karakterit të vet për t’u rritur por potenciali është aty dhe besoj që e ardhmja do të jetë shumë e mirë”, ka përfunduar Cana.