Brenda 37 ditëve, Atletico Madridi do të përballet pesë herë me dy rivalët e saj më të mëdhenj, në ndeshje që mund të vendosin fatin e gjithë sezonit të ekipit të Diego Simeones.
Kjo sepse shorti i 1/8-ve të finales në UEFA Champions League ka rezervuar një përballje me Real Madridin, më 4 dhe 12 mars.
Ky duel i zjarrtë mes dy rivalëve të qytetit do të zhvillohet mes një serie prej tri sfidash mes Atleticos dhe Barcelonës: një në La Liga dhe dy të tjera në Copa del Rey.
Më 25 shkurt, luhet ndeshja e parë e gjysmëfinaleve të Kupës, në Montjuic. Më 16 mars, katër ditë pas ndeshjes së dytë kundër Real Madridit në Champions, Atletico dhe Barcelona do të përballen sërish, këtë herë për javën e 28-të të La Ligës – një kampionat që për momentin është plotësisht i hapur, me tri ekipet e para të ndara vetëm nga një pikë.
Së fundmi, ky cikël i vështirë do të mbyllet më 2 prill, kur Atletico do të presë Barcelonën në Madrid, për ndeshjen e dytë të gjysmëfinaleve të Kupës së Mbretit.