Kampioni në fuqi i Premierligës, Manchester City, nuk di për fitore në elitën angleze në dy ndeshjet e fundit, pasi sot u ndal me barazim 1:1 nga Newcastle United.
Qytetarët me shumë vështirësi arritën një barazim në përballjen e javës së kaluar ndaj një Arsenali me një futbollist më pak, ndërsa sot ndonëse ishin në epërsi nuk arritën ta menaxhonin situatën në mënyrën më të mirë.
Në Saint James Park u zhvillua ndeshje pothuajse e barabartë, me Cityn që pati për një nuancë posedimin e topit.
Skuadra e Pep Guardiolës kaloi e para në epërsi në këtë ndeshje.
Zhvillohej minuta e 35-të kur Jack Grealish asistoi bukur për Josko Gvardiol, me qendërmbrojtësin që luajti rolin e një sulmuesi për të shënuar gol fantastik për 1:0.
45 minutat e para u mbyllën me këtë rezultat, teksa në pjesën e dytë u shënua vetëm edhe një gol.
Portieri Ederson shkaktoi penallti, që ishte mjaft e diskutueshme, ndërsa Anthony Gordon realizoi nga 11 metra me shumë qetësi, për të barazuar rezultatin në 1:1 në minutën e 58-të.
Deri në përfundim të ndeshjes nuk pati më ndryshim në rezultat, me Manchester Cityn që tashmë shijon barazimin e dytë me radhë pas katër fitoreve në gjashtë xhirot e para, me 14 pikë të grumbulluara.
Në anën tjetër, Newcastle United, ka 11 pikë dhe zë vendin e pestë momentalisht.