Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi të hënën do ta luajë ndeshjen e 100-të në La Liga me fanellën e Mallorcas.
Mallorca nga ora 21:00 luan në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan” ndaj Sevillas, në kuadër të xhiros së 25-të të kampionatit spanjoll.
Muriqi në edicionin aktual ka pasur formë të luhatshme me skuadrën spanjolle, por së fundmi e ka gjetur ritmin e duhur.
Ai ka realizuar tri gola në dy ndeshjet e fundit, ndërsa gjashtë i ka në total në 19 ndeshje të zhvilluara në elitën spanjolle. Lojtari kryesor i Kosovës ka kontribuuar edhe me dy asistime.
Sulmuesi shtatlartë është titullar i padiskutueshëm te Mallorca dhe shumë i dashur nga tifozët e skuadrës për përkushtimin dhe ndihmën e madhe që jep në fazën e mbrojtjes. “Pirati” ka prezencë të dukshme edhe në fazën sulmuese.
30-vjeçari iu bashkua Mallorcas në fillim të vitit 2022.
Që nga ajo kohë ai është bërë prej sulmuesve me më së shumti gola në elitën spanjolle për Mallorcan. Vetëm Samuel Eto’o, Juan Arango dhe Victor Casadesus kanë më shumë gola se Muriqi në elitë.
