Sulmuesi Vedat Muriqi thotë se është krenar që shënoi ndaj Real Madridit.
Ylli i Kosovës ishte fantastik në barazimin e djeshëm të Mallorcas ndaj kampionit të Evropës, duke shënuar golin e vetëm për vendasit, që ka vlerën e një pike.
Pas ndeshjes, Muriqi i cili u zgjodh edhe lojtari i ndeshjes, u prononcua për “La Liga-n”, ku deklaroi se është krenar që shënoi ndaj Realit.
“Real Madridi është skuadër fantastike. Iu uroj më të mirat. Dikur i shikoja në TV, tani isha në gjendje të shënoj kundër tyre. Nuk kam asgjë përtej respektit për ta”.
Ndër të tjera, Muriqi shtoi se pas vetëm dy minutave lojë iu kishte thënë madrilenëve se janë shumë të shpejtë.
“Iu thashë lojtarëve të Real Madridit pas vetëm dy minutave në lojë se janë shumë të shpejtë. Yje botërorë. Jam krenar që shënova gol kundër tyre”, nënvizoi qendërsulmuesi.
Ndërkohë, për Muriqin ky ishte goli i parë për këtë kampion, derisa Mallorca me trajnerin e ri dukej komplet ndryshe, duke luajtur futboll shumë ofansiv me presion të lartë.