Milani ka arkëtuar tre pikët e radhës në Serie A, pasi ka shënuar fitore 1:0 ndaj Udineses në kuadër të xhiros së tetë të kampionatit italian.
Kuqezinjtë erdhën nga dy humbje radhazi, për të shënuar fitore shumë të rëndësishme, ndonëse luajtën për pjesën më të madhe me një lojtar më pak.
Në ndihmë i doli edhe VAR, pasi Udineses iu anuluan dy gola në këtë përballje.
Skuadra e Fonsecas shënoi për 1:0 në minutën e 13-të, kur Samuel Chukwueze e çoi topin në rrjetë.
16 minuta më vonë gjërat u vështirësuan për Milanin, pasi Tijani Reijnders mori karton të kuq direkt, pasi shkaktoi ndërhyrje si lojtari i fundit.
Udinese e mori kontrollin e lojës, duke kërkuar me çdo kusht golin e barazimit.
Ata arritën të shënonin dy gola, por në të dy rastet VAR e tha fjalën e saj, madje te goli i Kabasele, ishte në pyetje pozita jashtë loje milimetrike, pasi goli u shënua në minutën e pestë shtesë.
Kështu më ndryshim nga minuta e 13-të nuk pati dhe Milani kthehet te fitoret në Serie A, ku tashmë kanë 14 pikë në tetë ndeshje, aq sa ka Interi i vendit të dytë me një paraqitje më pak. Udinese në anën tjetër mbetet me 13 pikë në vendin e gjashtë.