Ceremonia Laureatët e vitit 2024 është mbajtur sot nga Federata e Futbollit e Kosovës, ku Edon Zhegrova e fitoi çmimin lojtari i vitit, ndërsa Ballkani u zgjedh klubi më i mirë.
Ceremonia filloi me një video-mesazh nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili nuk la pa e përmendur të ndjerin Fadil Vokrri.
“I dashur President, i dashur Agim, të nderuar anëtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, të dashur mysafirë, miq të dashur. Çfarë kënaqësie të ju drejtohem përsërë në ceremoninë vjetore të Çmimeve të Federatës së Futbollit të Kosovës. Që kur Kosova iu bashkua FIFA-s në maj të vitit 2016, futbolli ka bërë përparime të jashtëzakonshme në vendin tuaj dhe ekipet tuaja tashmë kanë arritur disa rezultate shumë mbresëlënëse. I ndjeri Fadil Vokrri, presidenti juaj i atëhershëm dhe miku im i dashur, punoi aq shumë për të realizuar ëndrrën e anëtarësimit të Kosovës në FIFA dhe dua të filloj duke i bërë homazhe një lideri të madh dhe një futbollisti të madh.”
Mbrëmja vazhdoi me çmimet kryesore, ku Edon Zhegrova pas një viti fantastik si me Kosovën ashtu edhe me Lillen, e fitoi çmimin e njohur ‘Fadil Vokrri’ që jipet për lojtarin kosovar të vitit duke mos përfshirë Superligën e Kosovës.
Lindon Emërllahu u zgjedh lojtari më i mirë për vitin 2024 në Superligën e Kosovës, pas paraqitjeve mbreslënëse me Ballkanin.
Golashënuesi më i mirë për vitin 2024 ishte Drilon Hazrollaj i Malishevës, që ndihmoi skuadrën e tij të shkonte për herë të parë në kualifikime të garave evropiane.
Ilir Daja, tani trajner i Dinamos në Shqipëri, u shpërblye me çmimin e trajnerit të vitit, pas sezonit fantastik me Ballkanin, që fitoi çdo trofe të mundshëm.
Ballkani që fitoi Superligën, Kupën e Kosovës dhe Superkupën, duke dominuar futbollin kosovar në çdo aspekt, u shpall skuadra e vitit.