Mbrojtësi Ben White i është shtuar listës së lëndimeve te Arsenali.
Anglezi që luan në pozitën e krahut të djathtë, por ndihmon edhe në qendër mund të mungojë për pjesën e mbetur të vitit. “The Mirror” raporton se lojtari do të operohet në gju, ngase ka problem që disa kohë.
Kësisoj, White do të mungojë për ndeshjet e nëntorit dhe dhjetorit, me shpresën që të jetë gati në fillimin e vitit 2025.
Kjo padyshim është një goditje e madhe për skuadrën e Mikel Artetas, duke marrë parasysh se sa i rëndësishëm është te klubi anglez.
White ka qenë titullar i padiskutueshëm nën urdhrat e teknikut spanjoll, ndërsa mbetet të shihet se nëse do të arrijnë ta zëvendësojnë gjatë kësaj periudhe.
Për Arsenalin, White është vetëm një problem më shumë ngase gjithashtu janë duke pritur që dyshja Bukayo Saka e Declan Rice të rikuperohen nga lëndimet, lojtarë të cilët edhe u larguan nga grumbullimi i Anglisë këtë javë.
“Topçinjtë”aktualisht renditen në pozitën e katërt në Premierligë me 19 pikë, plot nëntë nën Liverpoolin.