Juventusi ka njoftuar se “transferimi i Arda Guler” është i pavërtetë dhe që skuadrës italiane i është hakuar rrjeti social Twitter.
“Bianconerët” befasuan tifozët, ku përmes një statusi u njoftua afrimi i Arda Guler.
“Mirë se vjen te Juventusi, Arda Guler. Ylli në rritje i futbollit është tani pjesë e familjes së Juventusit. Gati për të bërë historinë së bashku në këtë rrugëtim?”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e skuadrës italiane.

Megjithatë, ky informacion është i pavërtetë, ku gjiganti italian në faqen e tyre zyrtare njoftuan se po punojnë për ta kthyer llogarinë.
“Llogaria jonë në gjuhën angleze është komprometuar. Ju lutemi shpërfillni informacionet e rreme që publikohen në këtë llogari. Ne jemi duke punuar për këtë çështje”, njoftoi ndër të tjera klubi.
Përndryshe, Guler mbetet në planet e Real Madridit, ku vlerësohet si një nga “diamantët” për vitet e ardhshme. “Los Blancos” në fakt nuk konsideruan asnjë ofertë për lojtarin në afatin e verës duke dëshmuar se kanë besim tek talenti i tij.