Sot fillon java e tretë e Superligës së Kosovës në futboll, ku do të zhvillohen dy ndeshje interesante. Ferizaj do ta presë Prishtinën, ndërsa Malisheva udhëton në Podujevë për t’u përballur me Llapin.
Ferizaj që u promovua në Superligë për këtë sezon, e ka filluar mbarë, pasi në dy takimet e para ka arkëtuar katër pikë, e në anën tjetër Prishtina që është kundërshtar i saj sot ka zhvilluar vetëm një ndeshje, në të cilën ka barazuar pa gola.
Ky takim zhvillohet në qytetin e Ferizajt, në stadiumin me bari sintetik, me fillim nga ora 16:00, me Prishtinën që konsiderohet favoriti në letër, por që vendasit me dy paraqitjet e para kanë treguar se luftojnë në çdo ndeshje për pikë maksimale.
Në anën tjetër, në Podujevë, në arenën Zahir Pajaziti, do të përballet Llapi me Malishevën.
Nënkampioni i Kosovës, Llapi, e filloi me barazim ndaj Gjilanit, por që në xhiron e dytë shënoi fitore komode ndaj Feronikelit, dhe gjendet në vendin e dytë momentalisht, ndonëse me pikë të barabarta me Ballkanin, Suharekën e Ferizajn.
Malisheva që bëri një sezon fantastik në atë që lamë pas, e ka zhvilluar vetëm një ndeshje deri më tani, dhe atë duke barazuar 1:1 me Ferizaj, teksa sot do të jetë prova e vërtetë për ta.
Edhe ky takim zhvillohet me fillim nga ora 16:00.
Kujtojmë se nesër përballen Dukagjini – Gjilani dhe Ballkani – Feronikeli 74, ndërsa përballja e Dritës me Suharekën është shtyrë, për shkak të angazhimeve të Intelektualëve në garat evropiane.