Kampioni i Italisë, Interi, ia rinis nga “Marassi”. Në konferencën për shtyp të një dite më parë, Simone Inzaghi nuk e fshehu emocionin: “Jemi të emocionuar, kemi bërë përgatitje të mira dhe ndjejmë përgjegjësinë e titullit. Duam të mbrojmë titullin, por edhe të tjerët janë forcuar. Pra, misioni nuk do të jetë aspak i lehtë”.
Dy indikacione shumë të qarta në tregun e transferimeve: “Në sulm jemi mirë, me pesë lojtarët që kemi. Na mungon një mbrojtës i majtë, që po përpiqemi ta identifikojmë”. Mbi debutimin kundër Genoa: “Është një fushë e vështirë, do të luajmë kundër një ekipi shumë të mirë, por kemi punuar për të qenë gati. Vetëm Zielinski dhe De Vrij mbeten jashtë.
Sezoni i kaluar ishte i paharrueshëm. E rinisni nga e para, me përgjegjësinë e yllit të dytë në gjoks dhe në një transfertë të vështirë…
Po, rinis një sezon i ri, na pret një debutim i vështirë në një fushë të vështirë, kundër një ekipi të shëndetshëm, me një trajner të shkëlqyer. Ata vendosën rekordin e aboneve të sezonit të kaluar, kështu që do të luajmë në një ambient të nxehtë.
Si ishte përgatitja për sezonin e ri si kampionë?
Tani sezoni i kaluar duhet lënë pas. Jemi gati, kemi punuar me buzëqeshje. E dimë që në kampionatet e fundit, skuadrat kampione kanë pasur vështirësi në sezonin vijues, nuk e kanë mbrojtur dot titullin. Kemi bërë përgatitje të mira, edhe pse me ardhje të lojtarëve në kohë të ndryshme. I kam parë djemtë mirë javët e fundit, janë të gjithë të emocionuar që do t’ia nisim si kampionët në fuqi.
Interi e nis sërish me konfirmime dhe rinovime, pa ndryshime të mëdha. E pranoni rolin e favoritit?
Ne kemi qenë gjithmonë ndër favoritët, por nuk më pëlqejnë këto gjëra në letër. Ne trajnerët duam gjithmonë të fitojmë në fushë me ekipet tona. Mbi të gjitha kemi përgjegjësinë për të mbrojtur titullin. Shumë ekipe po investojnë, ne ishim të mirë në ruajtjen e strukturës së sezonit të kaluar, me disa shtesa. Na mungon një mbrojtës dhe kemi folur për këtë me klubin. Unë kam menaxherë të aftë, të cilët e dinë se për çfarë kemi nevojë.
Cilin Lautaro duhet të presim në Genoa?
Ai punoi mirë, pa asnjë problem, është në formë të mirë, e pashë të motivuar dhe të etur. Pastaj do të vendos nëse do ta përdor apo jo. Më duhet ende të vendos për formacionin. Konstatoj ndjenjë të madhe përgjegjësie si nga ana e tij, ashtu edhe nga të tjerët, për t’u kthyer më herët nga pushimet.
A është titulli kampion gjithmonë synimi i Interit?
Ne do të përpiqemi të përsërisim veten me të gjitha forcat. Sezonin e kaluar ishim perfekt edhe nga pikëpamja mendore.
Si ndryshon sezoni me Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube?
Dëshira është ta fillojmë mirë, më pas fusha e lojës do t’i japë përgjigjet. Përgatitja ishte shumë e mirë, edhe nëse disa lojtarë kishin probleme, por pothuajse të gjithë u rikuperuan. Tani për tani vetëm Zielinski dhe De Vrij mbeten jashtë. Me Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube shumë gjëra ndryshojnë. Edhe përgatitja parasezonale synonte të luajturit më shumë ndeshje.
Do të preferonit të fitonit titullin e Serie A duke luajtur një Champions League normale, apo të ktheheshit në finalen e Ligës së Kampionëve?
Unë kam menduar për këtë dhe nuk mund të jap një përgjigje. Udhëtimi që na çoi në Stamboll na dha emocione të mëdha, ashtu sikurse fituam titullin e yllit të dytë sezonin e kaluar. Tifozët tanë na kanë dhënë kaq shumë, ndaj duhet të vazhdojmë t’ua kthejmë me ecuri të kënaqshme. Duhet të mendojmë përsëri për të gjitha emocionet që kemi përjetuar. Unë jam krenar për gjithçka që kemi bërë.
A është avantazh të jesh i njëjti ekip si sezonin e titullit?
Kjo është shpresa jonë, kemi punuar që të jemi gati. Jam i kënaqur me punën e bërë në total.
A ekziston mundësia për të mbajtur 5 sulmues edhe me rrezikun për ta lënë dikë jashtë listës së Champions League?
Pa mbrojtësin që po kërkojmë, të gjithë do të qëndronin. Duke nënshkruar me një mbrojtës, që do të na ndihmojë, do të duhet të bëjmë një zgjedhje si vitin e kaluar në gusht. Vetë djemtë e dinë që me pesë sulmues do të kemi probleme.