Trajneri i Kosovës, Alain Giresse, ka thënë se Mirlind Daku nuk po thirret në ekipin kombëtar pavarësisht formës së lartë për shkak të konkurrencës së madhe.
Duke folur të premten në një konferencë për media para dy ndeshjeve vendimtare të Kosovës kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë në Grupin I kualifikues për Euro 2024, trajneri francez u bombardua me pyetje rreth listës së përzgjedhur.
“Për disa arsyeje ka të bëjë me zgjidhje sportive. Në sulm kemi shumë lojtarë dhe për këtë nuk e kam thirrur edhe pse e di që po shënon shumë gola”, tha Giresse për Dakun.
Daku i ka shënuar 19 gola në 33 paraqitje për Muran në ligën elitare sllovene Prva Liga.
Ai shpjegoi po ashtu se Zymer Bytyqi dhe Arbër Zeneli nuk janë thirrur si pasojë e mungesës së paraqitjeve me klubet e tyre përkatëse, ndërsa Florent Hadërgjonaj mungon për çështje private.
“Hadergjonaj nuk ka ardhur në këtë grumbullim për shkaqe personale. Sa i përket Berishës ka të bëjë me zgjidhje sportive. Ishte vendimi im dhe në listën e lojtarëve që kemi vendosa të mos e ftoj. Sa i përket Zenelit është e njëjta situatë si me Zymer Bytyqi, është minutazha e pak që kanë pasur me ekipet e tyre. Qoftë ne aspektin fizik apo moral nuk janë të gatshëm për të luajtur për Kosovën,” shtoi ai.
Kosova e nisi shumë keq fushatën e dytë kualifikuese për një turne evropian, pasi barazoi me rivalin e drejtpërdrejt për vendin e dytë, Izraelin, para se të pësonte barazim tronditës me Andorrën në Prishtinë.
Si pasojë, verdhekaltrit kanë dy pikë pas dy ndeshjeve, duke mbetur mbrapa liderëve Zvicrës dhe Rumanisë që kanë nga gjashtë pikë.
Ndeshja e 16 qershorit me Rumaninë në Fadil Vokrri është në veçanti e rëndësishme, pasi një disfatë e mundshme do ta linte ekipin dardan shumë mbrapa për të qenë në gjendje të luftojë për një vend që çon në Evropian.
Tri ditë më vonë, të hënën më 19 qershor, Kosova udhëton drejt Budapestit për t’u përballur me Bjellorusinë.