Kombetarja e Kosoves
FFK: Sfidë e madhe financiare, të gatshëm të heqim dorë nga menaxhimi i stadiumit “Fadil Vokrri”
Published
11 months agoon
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka reaguar lidhur me gjendjen e mjerueshme të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri”, ku pranoi se kjo gjendje e la nën hije edhe fitoren e mbrëmshme të Kombëtares së Kosovës ndaj Izraelit.
Sot, nga Komuna e Prishtinës u tha se nuk është përgjegjëse për mirëmbajtjen e stadiumit “Fadil Vokrri”, duke theksuar se mirëmbajtja është obligim i FFK-së.
Mirëpo, përmes një njoftimi të lëshuar tani nga shtëpia e futbollit kosovar, thuhet se FFK është e gatshme të heq dorë nga menaxhimi i stadiumit.
Sipas FFK-së, është sfidë e madhe financiare për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e stadiumit.
Komunikata e plotë e lëshuar nga Federata e Futbollit e Kosovës:
“Gjendja e fushës së stadiumit ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e mbrëmshme Kosovë-Izrael la nën hije fitoren dhe paraqitjen e angazhimin e shkëlqyeshëm të djemëve tanë dardanë.
Shumëkush nuk ngurroi që shigjetat për gjendjen e fushës t’i hedhë në një drejtim. Por, është e rëndësishme të theksohet se ky stadium nuk është pronë e FFK-së dhe kjo ka sjellë sfida të mëdha financiare për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tij.
FFK e ka marrë nën menaxhim stadiumin në kushte të mjerueshme, atëherë kur askush as nga institucionet e as nga organizatat sportive nuk ka pasur as vullnet e as gatishmëri për të marrë nën menaxhim këtë impiant sportiv. Jemi të vetëdijshëm se në situata të tilla më e lehta është hedhja e fajit tek tjetri, por nuk duhet harruar faktin se në çfarë gjendje është marrë stadiumi. Punëtorët aty kanë qenë të angazhuar nga komuna, por nuk janë paguar me muaj të tërë përderisa FFK ka vendosur t’a marrë përgjegjësinë edhe për pjesën e punëtorëve të angazhuar.
FFK nuk mund ta marrë barrën për gjendjen e tillë të fushës, duke e ditur stërngarkesën e aktiviteve (jo vetëm sportive) në këtë stadium gjatë këtij viti. Askush nga institucionet, qoftë të nivelit lokal apo qendror, nuk është marrë asnjëherë me çështjen e fushës, ndonëse prej shumë kohësh e kemi ngritur zërin për urgjencë dhe për nevojën e një stadiumi alternativë.
Bari i kësaj fushe është konsumuar dhe është e domosdoshme ndërhyrja e plotë për riparimin e fushës. FFK tash e sa kohë e ka projektin e gatshëm për të kryer investim të plotë, por një gjë e tillë nuk është lejuar. Para ndeshjes së mbrëmshme në këtë stadium kanë luajtur Ballkani e Prishtina, derisa brenda pak ditësh do të luhen edhe ndeshjet e Kombëtares U21, Kombëtares A, Kombëtares së femrave dhe ndeshja e Ballkanit në Ligën e Konferencës. Nuk ka askund në botë ndonjë stadium që do të mund t’i bënte ballë një kalendari kaq të ngjeshur të ndeshjeve, aq më parë kur dihen edhe kushtet atmosferike që mbretërojnë në vendin tonë në një periudhë të këtillë.
FFK asnjëherë nuk ka marrë asnjë subvencion për mirëmbajtjen e kësaj fushe nga institucionet, e që brenda një viti menaxhimi i saj i kushton mbi 100 mijë euro. Madje, askush nuk përkujdeset për asnjë dëmtim apo avari që bëhet në stadium gjatë zhvillimit të ndeshjeve, përveç FFK-së. Pagesa e vetme që kryhet nga klubet që i zhvillojnë ndeshjet aty është fatura e reflektorëve, kur ndeshjet zhvillohen në orët e mbrëmjes.
Ndonëse nuk ka pronësi mbi stadiumin, FFK është e gatshme që ta realizojë projektin me bari hibrid, por meqenëse tani nuk premton koha e nevojshme prej dy muajsh për një gjë të tillë, ka angazhuar kompani private me ekspertë për ta mirëmbajtur në mënyrën më të mirë të mundshme fushën aktuale dhe do të bëjë çmos që ta rikëndellë atë për aq sa ekzistojnë mundësitë. Mirëpo, me një kalendar të tillë të ngjeshur të ndeshjeve është e pamundur që fusha të jetë në gjendjen optimale.
Nëse vazhdohet me një neglizhencë të tillë të institucioneve ndaj këtij problemi, atëherë FFK është e gatshme t’ia kthejë menaxhimin komunës apo kujdo tjetër nëse ka të interesuar. Atëherë do të presim nëse fusha do të jetë e pranueshme për ndeshjet ndërkombëtare apo do të jemi të shtrënguar të shfrytëzojmë alternativën e dytë – atë të zhvillimit të ndeshjeve jashtë vendit, siç kemi bërë në vitet e para pas pranimit në UEFA e FIFA.
Krejt në fund FFK shpreh keqardhje për mungesë mbështetjeje për djemtë tanë dardanë, të cilët dhanë maksimumin e tyre në një fushë të tillë të rënduar. Të gjithë u morën me negativitet dhe askush nuk mori mundin t’i lavdërojë djemtë në fushë si dhe institucionet e sigurisë për një punë fantastike në mbarëvajtjen e kësaj ndeshje, e cila përveçse e rëndë në fushë, ishte e tillë edhe jashtë fushës.
Gjithsesi, FFK do të vazhdojë të japë maksimumin e saj për përmirësimin e infrastrukturës sportive, por pa dyshim se në këtë objektiv është e nevojshme edhe ndihma e shtetit”.
Kombetarja e Kosoves
Kosova ngjitet në ranglistën e re të FIFA-s
Published
4 weeks agoon
19 September 2024Është publikuar ranglista e re nga FIFA.
Në këtë renditje, kombëtarja e Kosovës në futboll ka shënuar ngritje për dy pozita.
“Dardanët” nga pozita e 106-të, tani pozicionohen në pozitën e 104-të, pas rezultateve të dy ndeshjeve në NATIONS League.
Skuadra e Frano Foda, humbi 0:3 kundër Rumanisë dhe fitoi kundër Qipros me rezultat 0:4.
Shqipëria në fillim të këtij muaji triumfoi 2:1 ndaj Ukrainës dhe u mposht 1:0 nga Gjeorgjia në Ligën e Kombeve, gjë që i kushtoi me humbjen e një pozite në ranglistën e FIFA-s.
“Kuqezinjtë” aktualisht renditen në vendin e 67-të.
.Sa i përket 10-të vendeve të para në ranglistë, ato nuk kanë ndryshuar nga renditja e fundit, me Argjentinën që është e para me 1889 pikë.
Pastaj vijnë, Franca, Spanja, Anglia, Brazili, Belgjika, Holanda, Portugalia, Kolumbia dhe Italia, të cilat e mbyllin “top dhjetëshen” e ranglistës së re të FIFA-s.
Kombetarja e Kosoves
Mbyllet edhe për 25 ditë stadiumi “Fadil Vokrri”
Published
1 month agoon
12 September 2024Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se stadiumi “Fadil Vokrri” do të mbyllet edhe për 25 ditë.
Në komunikatë thuhet se Dr. Tugrul Hocaoglu, doktori i agronomisë dhe ekspert i UEFA-s ka shpjeguar se bari është natyral pavarësisht kritikave, por ka nevojë për kohë për procesin e rritjes.
Kësisoj, FFK-ja do ta mbyllë edhe për 25 ditë të ardhshme “Fadil Vokrri”, i cili do të hapet kur Kosova ta pret Qipron në muajin tetor.
“Presidenti Agim Ademi dhe Ministri i Sportit Hajrulla Çeku vizituan stadiumin “Fadil Vokrri” së bashku me ekspertët e fushave nga UEFA.
Dr. Tugrul Hocaoglu, doktor i agronomisë dhe ekspert i fushave nga UEFA, i cili ka qenë përgjegjës për stadiumet e finales së Champions League, shpjegoi se bari natyral është në proces rritjeje dhe për këtë është e nevojshme kohë. Momentalisht, moti që po mbretëron është në favor të këtij procesi dhe puna do të kryhet intensivisht për një muaj.
Në 25 ditët e ardhshme, duke filluar nga dita e sotme, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nuk do të ketë asnjë aktivitet sportiv, as ndeshje as seanca stërvitore, sepse fusha do të punohet për të arritur qëllimin e të gjithëve, kompletimin e fushës hibride me rritjen e barit natyral në të.
Aktivitetet në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” do të rikthehen për ndeshjen e radhës të Kombëtares së Kosovës më 15 tetor”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Kombetarja e Kosoves
“Vendimi ishte i trajnerit, lojtarët e dinë rregulloren”, Ademi: S’më interesojnë kritikat
Published
1 month agoon
10 September 2024Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi thotë se Franco Foda i ka përjashtuar futbollistët dhe që FFK vetëm i ka dhënë “dritën e gjelbër” vendimit, duke shtuar se nuk i interesojnë kritikat e njerëzit.
Ramiz Shala të hënën mbrëma e akuzoi rëndë Ademin, duke pretenduar se ky i fundit i ka përjashtuar Edon Zhegrovën, Aro Muricin e Florent Muslijës dhe që i ka kërcënuar duke iu thënë “Ja u shkatërroj karrierën, ja u prishi fytyrën, këmbët bre ja u thej”.
I pyetur për përjashtimin e lojtarëve, Ademi në emisionin “Shqipëria Live” në “Top Channel” thotë se ishte vendim i Franco Fodas, ndërsa FFK vetëm e ka mbështetur.
“Pikë së pari duhet të respektohet rregullorja e cila u është komunikuar lojtarëve. Është shumë e rëndësishme për ekipin që ajo të respektohet. Përjashtimi i tyre ka qenë vendimi i trajnerit, pasi ata kanë dalë nga grumbullimi në orët e vona të natës. Sigurisht që ne kemi mbështetur mendimi ne trajnerit, sepse kjo është dhe rregullorja”.
Ndër të tjera, Ademi rikonfirmoi se nuk i interesojnë kritikat dhe shtoi se e ardhmja e Fodas nuk është në dyshime.
“Kombëtarja është e të gjithëve dhe shkon përtej Federatës. Nuk më intereson për ata njerëz që nuk kanë lidhje me këtë punë dhe bëjnë kritika, por vetëm për ata që kanë qenë të përfshirë dhe kanë bërë ankesa. Nuk kemi asnjë arsye për të folur për të ardhme ne trajnerit në këtë moment sepse sapo kemi fituar një ndeshje me lojë shumë të mirë. Ai punon për të mbajtur të bashkuar ekipin dhe për lojën e mirë, për të arritur rezultate. Një humbje kemi pësuar, të cilën nuk e prisnim, por gjithsesi puna vazhdon dhe trajneri e tregoi në Qipro se çfarë mund të bëjë”.