Skuadra e Atletico Madridit ka arritur ta përmbys rezultatin ndaj Alavesit, për t’i arkëtuar 3 pikë në xhiron e 14-të të kampionatit elitar spanjoll.
Mysafirët e morën avantazhin në këtë ndeshje, që në minutën e shtatë, pasi Jon Guridi e konkretizoi penalltinë e fituar.
Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë, njofton Klankosova.tv.
Por madrilenët nuk u dorëzuan, pasi sulmet e tyre drejt portës kundërshtare, ishin të parreshtura.
Antoine Griezmann i barazoi shifrat në minutën e 76, po nga penalltia, derisa golin e fitores e shënoi zëvendësuesi norvegjez, Alexander Sorloth, katër minuta para përfundimit të kohës së rregullt të takimit.
Kjo ishte fitorja e tretë radhazi në La Liga për Atleticon, teksa në renditjen tabelare i kanë kaluar tani edhe rivalët e përbetuar të kryeqendrës së Spanjës, Real Madridin, pavarësisht se këta të fundit kanë dy ndeshje më pak, raporton Klankosova.tv.
Barcelona është e para me 33 pikë, Atletico ka 29, kurse “Merengezët” në pozitën e tretë me 27 pikë.