Një kthesë e papritur mund të ndodhë në “telenovelën” mbi të ardhmen e Alphonso Davies, mbrojtësit kanadez të Bayern Munich, i cili ka kontratë deri në qershorin e ardhshëm dhe prej kohësh është në negociata për rinovimin.
Pas zërave që e lidhnin me një kalim te Real Madridi, më pas te Manchester United dhe Liverpool, duket se lojtari i lindur në vitin 2000, me origjinë nga Gana, mund të vazhdojë të qëndrojë në Bavari. Agjenti i tij pritet të mbërrijë në qytet për një takim me klubin gjerman, duke rritur mundësitë e rinovimit.
Trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, në një konferencë për shtyp foli për rëndësinë e Davies për ekipin: “Sa i përket aspektit sportiv, kontributi i Davies në lojën tonë është i qartë. Është një lojtar që vazhdon të përparojë dhe performanca e tij është thelbësore për ne. Jam i bindur se do të përmirësohet edhe më shumë. Ajo që bën tani është shumë e mirë, por në të ardhmen do të bëhet edhe më i mirë”.
Gjatë të njëjtës konferencë për shtyp, Max Eberl, drejtori sportiv i Bayernit, komentoi mbi situatën e Davies: “Nuk është sekret që po bisedojmë me agjentët e lojtarëve, të cilët janë afër përfundimit të kontratës. Kemi një ndeshje të shtunën, prandaj e përjashtoj që të ndodhë diçka këtë javë.
Sidoqoftë, për një gjë jemi të gjithë dakord: nuk do ta përballojmë fazën e rëndësishme të sezonit pa një vendim të qartë (nga Davies). Të gjithë janë të interesuar që gjysma e dytë e sezonit të shkojë mirë për Bayern Munich. Ne po përpiqemi t’i kënaqim të gjitha palët”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin