Java e 16-të e Superligës së Kosovës nisi me dy ndeshje që u zhvilluan sot. Drita fitoi minimalisht ndaj Dukagjinit, ndërsa përballja tjetër mes Prishtinës e Gjilanit përfundoi me barazim 2:2.
Intelektualët që janë liderët e elitës kosovare dhe do të vazhdojnë të jenë pas fitores së sotme, duke shkuar në nëntë pikë më shumë se vendi i dytë, Malisheva.
Përballja mes Dritës e Dukagjinit u zhvillua në stadiumin sintetik në Gjilan.
Skuadra e Zekirja Ramadanit ishte më e mirë dhe arriti ta mbajë epërsinë e krijuar në pjesën e parë, duke e dyfishuar krejt në fund pastaj.
Golin e parë e shënoi Besnik Krasniqi në minutën e 29-të, kur Iljasa Zulfiu asistoi.
Drita pati një rast ideal me Rron Brojën disa minuta para përfundimit, por goditja e tij u ndal nga shtylla.
Lideri aktual i Superligës e shënoi golin e sigurisë në minutën e fundit me anë të Kastriot Selmanit.
Intelektualët fituan 2:0 dhe tani kanë 37 pikë pas 16 xhirove në Superligën e Kosovës.
Në përballjen tjetër, Prishtina barazoi ndaj Gjilanit.
Kryeqytetasit e nisën shumë mirë, duke krijuar raste të rrezikshme, por të parët që shënuan ishin mysafirët.
Senad Jarovic shënoi për 1:0 në minutën e 28-të, i asistuar nga Oltion Bilalli.
Reagimi i Prishtinës ishte i shpejtë. Leotrim Kryeziu barazoi rezultatin nga penalltia në minutën e 36-të.
Gjilani fitoi një penallti në minutat e fundit të pjesës së parë, por që e njëjta u anulua nga VAR-i.
Prishtina arriti të dilte për herë të parë në epërsi në minutën e 76-të, por gëzimi u ndal, pasi VAR-i e anuloi golin e Kryeziut për pozitë jashtë loje.
Katër minuta më vonë, Leonat Vitija, shënoi gol me kokë pas harkimit nga Gentrit Salihut dhe Prishtina e përmbysi rezultatin në 2:1.
Por Gjilani e ndali këtë gëzim, pasi në minutën e katërt shtesë e barazuan rezultatin në 2:2 me golin e Kushtrim Shabanit.
Me këtë rezultat mbaroi takimi dhe Prishtina momentalisht është në vendin e katërt me 26 pikë, aq sa ka Ballkani në vendin e tretë. Në anën tjetër, Gjilani gjendet në vendin e gjashtë me 18 pikë.