Barcelona ka shënuar fitore shumë të thellë në shtëpi ndaj Valencias.
Katalunasit që po kalonin një krizë në ndeshjet e La Liga-s, i arkëtuan pikët e plota me rezultat 7:1.
Pas vetëm tre minutave lojë, Lamine Yamal asistoi për mrekulli te Frenkie de Jong, i cili kaloi Barcelonën në epërsi.
Ndërsa, ishte Ferran Torres që e dyfishoi epërsinë me një gol të bukur pas asistimit të Balde (8’).
Për golin e tretë u përkujdes Raphinha, vetëm pesë minuta më vonë pas asistimit të Lopez (14’).
Ndërkohë, dy golat e radhës i shënoi talenti Fermin Lopez (24’, 45+4’).
E tëra që Valencia arriti të bënte ishte goli i nderit, i shënuar nga Hugo Duro pas një kundërzbritje (59’).
Sidoqoftë, Barcelona nuk u ndal më kaq – ku Robert Lewandowski e tundi rrjetën për golin e gjashtë pas asistimit të Lopez (66’).
Ndërkohë, fitoren e vulosi autogoli i Tarregas (75’).
Barcelona tani rikthehet në pozitën e tretë në tabelë me 42 pikë, shtatë më pak se lideri Real Madrid derisa Valencia renditet në pozitën e parafundit me 16 sosh.