Arsenal është kthyer në krye të tabelës, pasi e dëshmoi veten edhe ndaj një kundërshtari si Liverpool.
Skuadra e Mikel Arteta ka marrë fitore me rezultatin 3:2, në përballje me Liverpoolin e Jurgen Klopp.
Takimi mori flakë me golin e hershëm të brazilianit Gabriel Martinelli, i cili i dha epërsinë ‘Gunners’ qysh në minutën e 1’.
Me epërsinë e hershme, Arsenal ishin më komodë të qëndronin prapa, por kjo i dha shumë liri Liverpoolit.
Skuadra e Jurgen Klopp administroi lojën dhe arriti të barazonte shifrat në minutën e 34’.
Golin e gjeti sulmuesi i transferuar në merkaton e fundit, Darwin Nunez, i asistuar nga Luis Diaz.
Kur mendohej se skuadrat do të shkonin në pushimin 15 minutësh me rezultatin e barabartë, në skenë doli përsëri Martinelli, me një vrapim të shkëlqyer, por kësaj radhe për të asistuar për Bukayo Saka, i cili dërgoi topin në rrjetë.
Megjithatë, me të filluar pjesa e dytë, ‘Reds’ gjetën forcën të reagonin edhe një herë, për të rikthyer baraspeshën.
Ishte sulmuesi brazilian, Roberto Firmino ai që në minutën e 53’ dërgoi topin në rrjetë për 2:2.
Mirëpo, Arsenal nuk kishin thënë akoma fjalën e fundit. Londinezët fituan një penallti në minutën e 76’. Këtë penallti e konvertoi në gol anglezi Bukayo Saka.
Goli i Saka, i shënuar në minutën e 76’ ishte ai që i dha vulën e fitores skuadrës së Arsenal, ndaj një rivali të fortë siç është Liverpool.
Me këtë fitore, Arsenal kthehet në pozitën e parë me 24 pikë, një më shumë sesa Manchester City.
Liverpool në anën tjetër, pas dy barazimeve, merr edhe një humbje, për të vazhduar formën e luhatshme këtë edicion. Ata kanë 10 pikë pas tetë ndeshjeve dhe janë në pozitën e 10 në tabelë.