Arsenali është ndalur me barazim nga Aston Villa, ndonëse për një moment kishte epërsi të dyfishtë në këtë përballje.
Topçinjtë barazuan 2:2 në Emirates Stadium, duke bërë hap fals në garën për titullin kampion, rezultat që i shkon përshtati Liverpoolit, me këta të fundit që po marshojnë sigurt drejt trofeut.
Skuadra e Mikel Artetës kishte posedimin e topit, por raste kishte në të dy anët.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 35-të, kur Martinelli shënoi pas asistimit të Trossard për 1:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Kai Havertz dyfishoi epërsinë, ndërsa Trossard ishte përsëri në rolin e asistuesit.
Aston Villa u këndell dhe pesë minuta më vonë, më saktësisht në minutën e 60-të me golin e Tielemans, e ngushtoi rezultatin në 2:1.
Mysafirët e shënuan edhe golin e barazimit pak minuta më vonë. Watkins realizoi për 2:2 në minutën e 68-të.
Kai Havertz e shënoi një gol pak para fundit të takimit, por që VAR reagoi për ta anuluar pasi ylli gjerman pati kontakt të topit me dorë.
Si rrjedhojë, përballja në Emirates, përfundoi me barazim 2:2.
Ky barazim, Arsenalin e lë prapa në garën për titullin kampion, pasi me një ndeshje më shumë të zhvilluar është gjashtë pikë pas liderit, Liverpool.