Wolves ka bërë një ofertë zyrtare për të nënshkruar për portierin e Arsenalit Aaron Ramsdale, ndërsa skuadra londineze tashmë e ka gjetur zëvendësuesin, duke e mbyllur marrëveshjen në aspektin personal.
Ramsdale pritet të shitet në këto 10 ditët e mbetura të afatit veror, me Wolves që kanë bërë një ofertë zyrtare për huazim me opsion blerje.
Skuadra e Premierligës do të paguajë shumicën e pagës së 26-vjeçarit dhe mund ta ofrojnë edhe portierin Daniel Bentley në një marrëveshje shkëmbimi, pasi ky i fundit këtë verë ka qenë i lidhur me kalimin te Arsenali.
Wolves është në dijeni se oferta e huazimit mund të refuzohet, por klubi është i limituar financiarisht sidomos pas shitjeve të Pedro Netos e Max Kilmanit.
Ndërsa, Ramsdale nuk është që ka shumë kohë për të zgjedhur, ngase dëshiron të largohet por edhe t’i ketë të sigurt minutat në klubin e ri.
Në rast që ndodh ky transferim, atëherë Arsenali do të nënshkruajë me Joan Garcian e Espanyolit. “Topçinjtë” kanë arritur marrëveshje në parim me portierin, ndërsa klubi spanjoll është në dijeni të interesimit të tyre.
Garcia, që e fitoi Olimpiadën së fundmi, ka një klauzolë lirimi prej 21 milionë funteve dhe Arsenali mund ta aktivizojë gjihnjë nëse Ramsdale pajtohet të largohet.
Përndryshe, skuadra e Mikel Artetas ndodhet në proces për të nënshkruar edhe me Mikel Merinon e Real Sociedadit.